Активирај се | Создадено од вас |

Gratë e Pollogut të pambrojtura prej institucioeve nga dhuna në familje

feat-img

Një vit më herët, 23 vjeçarja nga Gostivari Medina Ahmedi përfundimisht vendosi të denonconte dhunën sistematike nga ish-bashkëshortit dhe vëllai. Në vend të përkrahjes u përball me padrejtësinë dhe paaftësinë e shtetit, i cili nuk arriti t’i sigurojë një kulm mbi kokë. Në gjithë rajonin e Pollogut, ku jetojnë mbi 250 mijë banorë, nuk ka asnjë strehimore të vetme për të strehuar gratë që denoncojnë dhunën në familje.

“Unë jam me stres shumë të madh, me të gjithë të këqijat jam dhe nuk kam mundësi. I thash atij dil se tetë vjet më shkatërroi dhe ka tetë vite edhe nuk ka ditë natë që nuk jam e malltretuar nga ai.”, deklaronte për TV21, Medina Ahmedi duke njoftuar se dhunën e kishte denoncuar në polici.

Rasti i viktimës 23 vjeçare Medina Ahmedi nuk është i vetmi në rajonin e Pollogut. Dhuna ndaj grave është shumë e pranishme dhe shfaqet në forma të ndryshme, si verbale, psikike, fizike, dhe jo rrallë herë kanë përfunduar me vrasje.

Sipas Rrjetit Kombëtarë Kundër Dhunës, denoncimi i dhunës në familje ka çuar në tregjedi familijare sepse shteti nuk ka qenë në gjendje të merrë në mbrojtje viktimat. Në të shumtën e rasteve burrat kanë vrarë gratë e tyre pasi viktimat kanë vendosur tu drejtohen institucioneve për ndihmë.

Dhuna ndaj grave përkthyer në statistika

Rajoni i Pollogut ka nëntë komuna, Tetova, Gostivari, Mavrova, Rostushë, Zhelinë, Tearcë, Bogovina, Vrapçishti, Jegunovca dhe Bërvenicë, ku jetojnë 251,552 qytetarë. Shifrat e lartëpërmendura të dhunës në familje përfshijnë të gjithë komunat e rajonit.

Përkundër qindra rasteve të dhunës, institucionet shtetërore dhe ato lokale kanë dështuar që grave të dhunuara të ju sigurojnë jetë dinjizote pas denoncimit.

Psikologia Nebahate Ziberi Imeri thotë se sipas standardeve evropiane në rajonin e  Pollogut do te duhej të kishte të paktën pesë qendra këshillimi.

“Në fakt rajoni i Pollogut ka vetëm dy qendra këshillii. Vetëqeverisja Lokale duhet të merr masa që shërbimet të cilat i meriton ky rajon ti posedojë. Jemi duke lobuar me të gjitha institucionet lokale dhe komunat e rajonit të Pollogut”, thotë Ziberi Imeri.

Nga ana tjetër, nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” thonë se është numrat e përmendura në infografikë nuk paraqesin gjendjen alarmante të dhunës ndaj grave në Pollog.

“Numri realisht është shumë më i madh, por gratë nuk e denoncojnë atë duke e ditur se me çfarë do të përballen pas denoncimit, si dhe, për shkak se në shumë vende të këtij rajoni dhuna është bërë përditshmëri, është kthyer në zakon”, theksojnë nga QMB Mollëkuqja.

Rajoni i Pollogut është i vetmi në RMV pa asnjë strehimore për gratë

Sipas standardeve minimale për 50 mijë banorë duhet të ketë qendër këshillimore për gratë viktima të dhunës në familje, për 100 mijë banorë duhet të ketë një qendër strehimi  të viktimave, ndërsa për 150 mijë banorë duhet të ketë një qendër ndërhyrjeje në krizë. Në Pollog jetojnë rreth 255,000 banorë dhe ka vetëm dy këshillimore për gratë, por asnjë qendër strehimi e as qendër për ndërhyrje të shpejtë.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përveç rajonit të Shkupit, strehimore të tjera të mëdha për viktima të dhunës me bazë gjinore dhe në familje ka edhe në rajonin jugperëndimor – Ohër, lindor – Koçani, juglindor – Strumicë, rajoni i Vardarit – Veles dhe Sveti Nikollë, në rajonin e Pellagonisë në Manastir. Qeveria e RMV-së e ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Konventës së Isntsbullit për periudhën 2018-2023, por pavarësisht kësaj rajoni i Pollogut është i vetmi rajon ku ende nuk ka qendër të hapur strehimi.

Sipas organizatës joqeveritare “Mollëkuqja” alarmojnë se statistikat e dhunës në familje në rajonin e Pollogut janë të frikshme.

“Duhet theksuar se numri i lartë i dhunës në familje jo domosdo do të thotë se janë rritur rastet e dhunës familjare, por se është shtuar vetëdija e grave për t’i raportuar këto raste, për shkak se raste të tilla gjithmonë ka pasur, ka edhe fatkeqësisht do të ketë”, deklarojnë në OJ Mollëkuqja. Ato theksojnë se gratë në Pollog fillimisht dhunohen nga institucioni „familje” më pas nga institucionet shtetërore, duke mos ju siguruar ndihmën e nevojshme pas denoncimit të dhunës.

Çfarë thotë ligji?

Në vitin 2021 është miratuar Ligji i ri për parandalim dhe mbrojtje të grave nga dhuna familjare, i cili ka për qëllim që të përparoj sistemin për preventim dhe mbrojtje nga të gjitha format e dhunës gjinore dhe familjare. Në nenin 21 të Ligjit parashihen që komunat të hartojnë programe dhe politika lokale për mbrojtje të grave viktima të dhunës me bazë gjinore dhe të implementojnë masa preventive. Po ky ligj thuajse nuk gjen zbatim në rajonin e Pollogut.

Gjetjet e studimit të organizatës joqeveritare “Cortex”

Maqedonia e Veriut ka ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e stambollit) më 12 mars 2018. Vendi është angazhuar për të garantuar mbrojtjen e viktimave përmes krijimit të shërbimeve të specializuara të aksesueshme, të shpërndara në mënyrë të barabartë gjeografikisht dhe të aksesueshme për mbrojtjen e grave viktima të të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

 

Burimi: Pexels

Studimi i Cortex zbulon se në rajonin planor të Pollogut nuk janë të përmbushura standardet minimale për qasje në shërbimet e specializuara për ndihmë dhe mbështetje të grave dhe fëmijëve viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje të parapara në Konventën e Stambollit.

Në këtë rajon nuk ka asnjë strehimore për përkujdesje të grave viktima të dhunës të kërkuara nga Konventa e Stambollit, e cila kërkon që shteti të sigurojë strehimore me më pak se 25 vende familjare.

Poashtu, në Pollog nuk ka asnjë qendër krize për gratë viktima të dhunës në familje, por ekzistonë vetëm dy këshillimore.

Sipas hulumtimit të “Cortex”, vetëm komuna e Gostivarit ka të hartuar një plan të tillë social.

Ana Aframovska nga Cortex thotë se dhuna ndaj grave dhe në familje nuk janë prioritet i komunave të Pollogut. „Atje nuk ka asnjë strehimore, nuk ka qendër për kriza për intervenim, nuk ka linjë kombëtare SOS në të gjitha gjuhët që të jetë në qasshme 24 orë“, thotë Aframaovska.

Konventa kërkon përfshirjen e qeverisjes lokale në krijimin dhe implementimin e politikave kordinuese për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Konventa gjithashtu kërkon përfshirjen e autoriteteve lokale në garantimin e mbrojtjes së viktimave të dhunës dhe sigurimin e mjeteve financiare për shërbimet e specializuara të ndihmës dhe mbështetjes (strehimore, qendra këshillimi, etj).

 

Ardit Ramadani, Reporter

Ky publikim është prodhuar nga Instituti për Studime të Komunikimit me mbeshtetje e popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë publikim nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.