Guglo në mënyrë të zgjuar |

Si të mbroni veten nga vjedhja e të dhënave personale kur bëni blerje online

feat-img

Sipas raportit të Asociacionit për e-tregti të Maqedonisë, në vitin 2022 vlera e transaksioneve totale të blerësve maqedonas në internet u rrit me 25% krahasuar me vitin 2021. Së bashku me këtë, rreziku i sulmeve kibernetike dhe keqpërdorimit të të dhënave personale po rritet gjithashtu. Një nga rreziqet kryesore është mundësia e keqpërdorimit të të dhënave personale kur blini online. Kjo mund të ndodhë nëse blini produkte në faqet e internetit të pabesueshme, linqe ose ju besoni truqeve për lojëra shpërblyese ose produkte të lira përmes pop-up të dyshimta. Mbrojtja e të dhënave tuaja personale është thelbësore në epokën e sotme digjitale dhe është e rëndësishme të ndërmerrni hapa proaktivë për të siguruar që informacionet tuaja do të mbeten të sigurta kur blini në internet.

Në vijim, do të shqyrtojmë disa masa kryesore për të mbrojtur të dhënat personale kur bëni blerje në internet.

Blini nga faqet e internetit të besueshme dhe shmangni ueb dyqanet “informale”

Kur bëni blerje në internet, është e rëndësishme të qëndroni në faqet e internetit të besuara që kanë një reputacion të mirë për mbrojtjen e të dhënave të klientit. Hulumtoni tregtarin para se të blini për të siguruar që ata kanë një faqe interneti të sigurt me një certifikatë të vlefshme SSL . Kjo shënohet me një ikonë për bllokim në pjesën për adresa të ueb faqes URL të faqes që fillon me “https”.

Duke blerë në ueb faqe të besueshme, mund të zvogëloni ndjeshëm rrezikun e keqpërdorimit të të dhënave tuaja personale gjatë transaksioneve online. Nga ana tjetër, është më mirë të jeni të kujdesshëm kur blini ose porosisni nga ueb – dyqanet në Facebook ose platforma të tjera sociale. Është një rast i zakonshëm që këto dyqane nuk kanë politika të privatësisë dhe licenca, gjë që në një farë mase i bën ato ligjërisht të përjashtuar nga mbrojtja e të dhënave tuaja personale dhe i ndihmon të shmangin përgjegjësinë. Gjithmonë qëndroni në faqet e internetit të vlefshme dhe zyrtare që ndjekin rregulloret e mbrojtjes së të dhënave dhe kini kujdes për oferta që duken shumë të mira për të qenë të vërteta. Nëse nuk jeni të sigurt për një faqe interneti maqedonase, nëse është e verifikuar, është më mirë ta kërkoni atë në regjistrin e Asociacionit për e-tregti në Maqedoni. Kjo ndodh çdo ditë, për shembull, disa ditë më parë, në të gjithë hapësirën kibernetike maqedonase, u bë një njoftim për blerjen e një pajisjeje elektrike të kuzhinës nga marka Philips për 2 euro, vlera reale e së cilës është rreth 150 euro. Jo zyrtarisht, përdoruesit që vunë të dhënat e kartës së tyre të pagesës u arkëtuan, përkatësisht u vodhën për rreth 100 euro.

Një tjetër shembull i njohur është një postim nga një llogari e rreme në Facebook në emër të Kam Market, ku përdoruesit shkruanin komentin e famshëm “e dua kam në kuti postare” në mënyrë që të fitojnë një kupon pagesor.

Mashtrimi i këtij lloji është shumë i zakonshëm dhe kryesisht synon njerëzit e moshuar të cilët nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe abuzimet që ndodhin në internet. Është e rëndësishme të kryeni kërkime të hollësishme përpara se të blini nga një online dyqan i ri për të shmangur rrezikun e keqpërdorimit të të dhënave personale.

Lexoni politikën e privatësisë

Është e rëndësishme të dini se si ueb faqja mbledh, përdor dhe ndan të dhënat tuaja personale. Një mënyrë për ta bërë këtë është të lexoni politikën e privatësisë së faqes në internet para se të blini. Politika e privatësisë duhet të sigurojë informacion në lidhje me mënyrën se si ueb faqja mbledh dhe përdor të dhënat tuaja, me kë i ndajnë ato dhe si i mbrojnë ato. Sigurohuni që të kuptoni politikën dhe të ndiheni të sigurt me mënyrën se si do të përdoren të dhënat tuaja. Nëse hasni në një ueb faqe që nuk ka politikë të privatësisë ose nëse politika është e paqartë, është më mirë të shmangni blerjen nga ajo ueb faqe. Duke ndarë kohë për të lexuar politikën e privatësisë, ju mund të merrni vendime më të mira në lidhje me blerjet tuaja në internet dhe të ndihmoni në mbrojtjen e të dhënave tuaja personale.

Mos i ruani informacionet tuaj për pagesë

Një tjetër masë e rëndësishme është të shmangni ruajtjen e informatave tuaja për pagesë në ueb faqen ose në shfletuesin tuaj. Ndërsa mund të jetë e përshtatshme të ruani të dhënat tuaja për pagesa për transaksionet e ardhshme, kjo gjithashtu rrit rrezikun e qasjes së paautorizuar në të dhënat tuaja për pagesë. Hakerët mund t ‘i vjedhin lehtësisht këto të dhëna nëse ueb faqja nuk është e mbrojtur në mënyrë përkatëse, duke vënë në rrezik të dhënat tuaja personale dhe financat. Në vend të kësaj, ndani kohë për të futur manualisht të dhënat tuaja për pagesë për çdo transaksion për të siguruar mbrojtje maksimale. Përveç kësaj, mos harroni të përdorni vetëm metoda të sigurta pagese, si kartela pagesore ose PayPal.

Ndiqni bilancin e llogarive tuaja bankare

Monitorimi i rregullt i llogarive tuaja është një hap kyç në mbrojtjen kundër keqpërdorimit të të dhënave personale. Është e rëndësishme të kujdeseni për deklaratat tuaja bankare dhe kartelet kreditore dhe t ‘i rishikoni ato tërësisht për të siguruar që nuk ka shpenzime të paautorizuara. Nëse vëreni ndonjë aktivitet të dyshimtë, është shumë e rëndësishme që menjëherë ta raportoni dyshimin në bankë ose kompaninë e kartelës suaj pagesore. Shumë banka dhe emetues të kartelave pagesore kanë politika për mbrojtje nga mashtrime që mund t ‘ju ndihmojnë të ktheni paratë dhe të parandaloni transaksionet e mëtejshme të paautorizuara. Duke monitoruar rregullisht llogaritë tuaja, mund të zbuloni të gjitha problemet herët dhe të ndërmerrni veprime para se të bëhet ndonjë dëm tjetër.

Përdorni autentifikim me dy faktorë

Autentifikimi me dy faktorë është një mënyrë efektive për të mbrojtur llogaritë tuaja nga qasja e paautorizuar. Kjo veçori sigurie kërkon që të shënoni një kod verifikimi fjalëkalimi kur të hyni. Ky kod zakonisht dërgohet në telefonin tuaj, email ose aplikacion tjetër dhe është një shtresë tjetër për siguri që mund të ndihmojë në parandalimin e hakerave nga qasja në llogarinë tuaj. Për të siguruar nivelin më të lartë të sigurisë, aktivizoni autentifikimin me dy faktorë për të gjitha llogaritë tuaja në internet, duke përfshirë emailin tuaj, mediat sociale dhe llogaritë për blerjeve online. Kjo do t ‘ju ndihmojë të mbani të dhënat tuaja personale dhe financiare të sigurta.

Kini kujdes nga phishing mashtrimet

Është e rëndësishme të jeni të kujdesshëm ndaj mashtrimeve me phishing që mund të rrezikojnë të dhënat tuaja personale. Mashtrimet e phishing përfshijnë kriminelët kibernetikë që paraqiten si biznese të ligjshme për t ‘ju mashtruar në zbulimin e informatave tuaja personale, siç janë kredencialet e hyrjes ose detajet e kartës së pagesës. Për të mos u bërë viktimë e këtyre mashtrimeve, kontrolloni dy herë adresën e postës elektronike të dërguesit dhe kërkoni ndonjë shenjë të aktivitetit të dyshimtë. Shmangni klikimin në linqet ose shkarkimin e bashkëngjitjeve nga faqet e internetit ose postat elektronike të dyshimta dhe gjithmonë kujdes me çdo kërkesë për të dhëna personale. Duke qenë të kujdesshëm, mund të mbroni veten nga këto kërcënime të zakonshme në internet.

Si përmbledhje, mbrojtja e të dhënave tuaja personale gjatë blerjes në internet duhet të jetë një përparësi kryesore. Ndiqni këshillat e listuara në këtë artikull dhe informohuni më hollësisht në linkune mëposhtëm, vetëm në këtë mënyrë mund të zvogëloni ndjeshëm rrezikun e keqpërdorimit të të dhënave personale.

Autor: Ljubomir Davitkov