Uncategorised |

Nxënësit e shkollës së mesme të Strugës kërkojnë plazhe më të pastra

feat-img

“Plehrat – përfundimisht. Kur është jashtë sezonit, mund të themi që plazhet janë të mira. Por kur vijnë turistë, ato janë plot me mbeturina. Nuk e kuptoj pse ata nuk i hedhin në koshin e plehrave!”. Ky është mendimi i parë që ndanë gjimnazistët nga shkolla mjekësore “Niko Nestor” nga Struga kur i pyetëm se cili është problemi më i madh ekologjik për ta në qytet.

Gresa Klenja thotë se shpesh mbledh mbeturinat që njerëzit lënë pas kur largohen nga plazhi. “Marr një qese dhe i mbledh. Nuk mund t’i shoh ashtu të shpërndara!”, thotë poetja e re.

Nxënësja e shkollës së mesme Gresa Klenja u bën thirrje turistëve të mbledhin plehrat kur largohen nga plazhi

“Kur notojmë në liqen, kemi frikë të shkelim në qelq dhe të pritemi,” tha nxënësi i shkollës së mesme Usein Brauer.

Usein Brauer do të jetë pjesë e grupit të nxënësve nga shkolla e mesme “Niko Nestor” nga Struga të cilët së bashku me aktivistët nga KAB Struga 2017 do të pastrojnë një pjesë të bregut të Strugës

Nuk është i ndryrë vetëm bregu. Emir Gega nga fshati Misleshevë thotë se ka shumë deponi ilegale në atë rajon. “Gjëja e parë që të tërheq vëmendjen kur hyn në fshat janë grumbujt e mbeturinave. Sado të pastrojnë, banorët janë mësuar t’i hedhin këtu”- thotë Gega.

Emir Gega kërkon të pastrohen deponitë ilegale në fshatin Misleshevë.

Shoqja e tij e klasës Anisa Uzeiri thotë se nuk kanë dëgjuar për ndëshkim të ndokujt për ndotje. Këta të rinj kanë diçka për t’i thënë autoriteteve. Sidomos kur Struga është e mbuluar nga tymi i deponisë që digjet. “Kundërmon dhe tymon nga kudo”, thotë Anisa. Struga ka nevojë për më shumë pemë. “Unë do t’i kërkoja autoriteteve lokale të ketë më shumë kontejnerë ose kosha plehrash. Sidomos në plazhe”.

“Unë do t’i kërkoja autoriteteve lokale të ketë më shumë kontejnerë ose kosha plehrash. Sidomos në plazhe”, thotë Anisa Uzeiri, nxënëse e shkollës së mesme në “Niko Nestor” – Strugë

Anisa së bashku me shokët e saj të klasës në muajt në vijim dhe profesorin Ndеrim Pollozhani i cili është gjithashtu aktivist në shoqatën e alpinizmit “KAB Struga 2017” do të bëjë fushatë me interes publik “Qytet më i pastër së bashku me të rinjtë” drejtuar qytetarëve dhe pushtetit lokal për vetëdije më të madhe ekologjike dhe mbrojtje të liqenit.

“Përmes kësaj iniciative ne duam të arrijmë dy gjëra. E para është të bëjmë presion mbi qeverinë lokale për të qenë më transparent në shpenzimin e buxhetit komunal, veçanërisht paratë për mbrojtjen e mjedisit jetësor. E dyta është se së bashku me nxënësit do t’u dërgojmë apel banorëve të Strugës që të kujdesen për mjedisin dhe liqenin. Do ta bëjmë atë me shembull personal, kur së bashku me nxënësit do të bëjmë aksion pastrimi të një pjese të bregut të Strugës ”, thotë profesori i ri i biologjisë Pollozhani.

Profesori Nderim Pollozhani pret transparencë më të madhe nga Komuna e Strugës për shpenzimin e fondeve buxhetore për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ai koordinon fushatën me interes publik “Qytet më i pastër së bashku me të rinjtë” i cili do të realizohet nga nxënësit e “Niko Nestor” Strugë dhe shoqata alpinistike “KAB Struga 2017”

Nisma e “KAB Struga 2017” dhe shkollës së mesme “Niko Nestor” është një nga gjashtë fituesit e granteve të vogla të BE-së të dhëna nga Instituti për Studime të Komunikimit dhe Shoqëria Ekologjike e Maqedonisë, si pjesë e projektit Evropian Politika Lokale për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor

Këtë përmbajtje e përpiloi Instituti për Studime të Komunikimit.

Fotografi: Tomislav Georgiev

Kjo përmbajtje është përpiluar në kuadër të Projekti: “Aksion Lokal për Politika më të Mira për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor” zbatohet nga Instituti për Studime të Komunikimit në partneritet me Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë, me mbështetje financiare të Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR).