Problemi me prezantimin e nivelit të borxhit publik
Tema të cilën duam ta elaborojmë në këtë video është se sa është i ngarkuar me borxh shteti. Kjo çështje, nëse nuk prezantohet me saktësi, mund të çojë në konkluzione të gabuara në publik. Pse? Sepse shumë shpesh kemi të dhëna kontradiktore, por krejtësisht të sakta. Kjo është se nga njëra anë, borxhi publik është vazhdimisht në rritje në shumë absolute, por nga ana tjetër është relativisht në rënie, i matur si përqindje e pjesëmarrjes së tij procentuale në produktin bruto vendor. Por, fillimisht t’i sqarojmë dy nocionet që i përmenda – borxhi publik dhe produkti bruto vendor.
Borxhi publik është shuma e gjithë borxhit të Qeverisë, ndërmarrjeve publike shtetërore dhe komunale dhe shoqërive tregtare, si dhe komunave së bashku me Qytetin e Shkupit.
Produkti bruto vendor ose shkurtesa PBV është thjesht çdo gjë që prodhohet ose ofrohet si shërbim në vend brenda një viti të shprehur në para.
Më 30 qershor 2023, për shembull, borxhi i përgjithshëm publik i Maqedonisë arriti në 8,337 miliardë euro dhe ishte 57,9% e PBV-së së Maqedonisë.
Por këtu, gjithashtu ekzistojnë edhe probleme të caktuara që dalin nga interpretimi i pjesëmarrjes së borxhit publik në PBV.
Vlera nominale e borxhit publik është një kategori e qartë dhe ai në mënyrë kontabël është preciz. Për shembull, është rritur nga 6,483 miliardë euro në 2020 në 7,135 miliardë euro në 2021; dhe 7,703 miliardë euro në 2022 në 8,337 miliardë euro në qershor 2023.
Është e qartë se borxhi publik është duke u rritur. Por përkundrazi, pjesëmarrja e saj në PBV, e cila është një e dhënë më relevante, është ulur. Kjo është për shkak të rritjes së PBV-së, por edhe për faktin se rritja nominale e prodhimit bruto vendor për shkak të inflacionit, gjithashtu rritet me shpejtësi. Prandaj PBV-ja nominale shpesh rritet me rritjen e inflacionit, megjithëse PBV-ja real mund të ngecë, madje edhe të ulet.
Në mënyrë më të thjeshtësuar, për ta kuptuar, inflacioni e rrit vlerën e produktit bruto vendor nominal, sepse nëse inflacioni është i lartë, rritet vlera e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në para, por shumë shpesh nuk rritet edhe vëllimi, përkatësisht sasia e produkteve dhe shërbimeve.
Për shembull, në një vit ekonomia e Maqedonisë ka prodhuar 100 njësi të ndryshme mallrash dhe shërbimesh dhe ato kanë pasur vlerë totale finale të tregut prej 1000 denarë. Ky në shembullin tonë të thjeshtuar është produkti bruto vendor. Nëse në vitin e ardhshëm inflacioni është 15 për qind, 100 mallrat dhe shërbimet e prodhuara do të vlejnë 1.150 denarë. Kjo tregon se vëllimi real i ekonomisë nuk është rritur, ajo ende ofron të njëjtin numër mallrash dhe shërbimesh, por vlera e tyre në treg është rritur për shkak të inflacionit, përkatësisht është rritur produkti bruto vendor.
Mund të ndodhë që sasitë e prodhuara madje edhe të ulen, ndërsa dhe të rritet vlera e produktit bruto vendor, që shprehet në para. Nga ana tjetër, borxhi publik, megjithëse është nominal, nuk rritet me inflacionin, por mbetet në vlerën e njëjtë kur është krijuar apo emetuar. Në atë rast, megjithëse vlera e borxhit nuk është rritur, pjesëmarrja e tij në PBV është ulur në mënyrë adekuate.
Së këndejmi, në publik mund të prezantohen aspekte të ndryshme të gjendjes së borxhit publik, varësisht nga ajo nëse duam ta paraqesim atë si në rritje, në vlerën e tij absolute, apo në rënie, përmes pjesëmarrjes së tij relative, përkatësisht procentuale në PBV. Ky konfuzion duhet të sqarohet gjatë elaborimit.