Analizo |

Treguesit në natyrë në publik

Treguesit ekonomikë mund të jenë monetarë, të shprehur në para dhe në natyrë, përkatësisht jomonetarë, të shprehur në njësi matëse fizike. Produkti i Brendshëm Bruto, për shembull, është një tregues i vlerës, i shprehur në para, dhe paraqet vlerën totale të tregut të të gjitha mallrave dhe shërbimeve finale që janë prodhuar në territorin e një vendi në një periudhë të caktuar kohore (p.sh. 1 vit).

Por, shumë shpesh në media dhe në publik hasen edhe të dhëna në natyrë, përkatëisht prodhimi apo produktet të shprehen në njësi matëse siç janë kilogramë, tonë, hektolitra, copa (p.sh. automjete) etj.

Prezantimet e këtyre treguesve natyrorë për publikun është një sfidë e veçantë. Ato janë solide dhe nuk kanë probleme krahasuese, por shpesh gjatë prezantimeve zgjidhen vetëm ata tregues që kanë shenjë pozitive ose negative, varësisht nga nevojat e momentit dhe nga përfitimi i atij që i raporton. Ja një shembull për atë.

Si të prezantohet prodhimi apo eksporti bujqësor? Nganjëherë raportohet prodhimi i shtuar i një kulture, për shembull, gruri në një mijë tonë, ose i një produkti industrial, për shembull, vera në një mijë hektolitra. Megjithatë, disa herë paraqiten të dhëna për rritjen e sipërfaqeve të mbjella, të grurit apo rrushit, gjë që tregon për një prodhim të mundshëm më të lartë, ndonëse kjo nuk ndodh për shkak të rendimentit më të ulët të mundshëm për njësi sipërfaqe, përkatësisht raportit të dobët të kilogramëve për hektar.

Për shembull, prodhimi i grurit vitin e kaluar ishte në 120.000 ha, që ka dhënë një rendiment mesatar prej 2.500 kg për hektar dhe kështu janë prodhuar 300.000 ton grurë. Këtë vit janë mbjellë 132.000 hektarë, që është një rritje prej 10% në sipërfaqet e mbjella, por rendimenti mesatar ka rënë në 2.200 kg për hektar (-12%) dhe janë prodhuar 290.400 ton, përkatësisht 9.600 tonë më pak se vitin e kaluar. Ai që i raporton të dhënat mund të manipulojë duke treguar rritjen e sipërfaqeve të mbjella ose uljen e sasive të prodhuara, varësisht nga nevoja.  

Gjithashtu, ka mundësi që në mënyrë selektive dhe sipas nevojave të raportohen vetëm treguesit në natyrë, përkatësisht numri i rritur ose tonelatat e qengjave të eksportuara, hektolitrat e verës ose numri i copave të eksportuara të këmishëve, megjithëse fluksi financiar i eksportit mund të jetë më i ulët për shkak të ndryshimit të çmimeve në tregje.

Nëse, për shembull, numri i këmishëve të eksportuara nga 900,000 është rritur në 1,000,000, por çmimi i një këmishe të eksportuar është ulur nga 8 në 7 euro për shkak të konkurrencës në treg, atëherë megjithëse eksporti vjetor i këmishëve është rritur për 100,000 copë, në fakt vlera e eksportit është ulur nga 7.2 milionë në 7 milionë euro. Këto të dhëna mund të mos raportohen.

Ndonjëherë është anasjelltas. Raportohet se vlera e rritur e eksporteve e shprehur në para, megjithëse numri ose tonelatat e qengjave të eksportuara, hektolitrave të verës apo copave të këmishëve të eksportuara është ulur, ndërsa vlera më e lartë e eksportit është rezultat i rritjes së dukshme të çmimeve të mishit të qengjit ose verës në tregjet botërore ose rajonale.

Në shembullin tonë, nëse, për shembull, numri i këmishëve të eksportuara ka rënë nga 900,000 në 800,000, por çmimi i një këmishe të eksportuar është rritur nga 8 në 10 euro për shkak të ofertës së ulur në tregje, atëherë megjithëse eksporti vjetor i këmishëve ka rënë për 100 mijë copë, në fakt vlera e eksportit është rritur nga 7.2 milionë në 8 milionë euro. Të dhënat për eksportin e ulur të copave të këmishëve mund të mos raportohet. Kjo mund të përdoret gjithashtu për manipulim në raportimin e të dhënave në publikun.