Aktivizohu | Krijuar nga ju |

NË SHKUP NUK KA LIBRARI SHQIPTARE

feat-img

“Lufta dhe paqja” është titulli në shqip i veprës më të njohur të Lev Nikollaeviç Tolstoit. Kjo vepër me përmasa epike konsiderohet si një nga veprat më të mëdha të fjalës së shkruar. Vlerësohet si një nga arritjet më të mëdha të botës letrare, së bashku me veprën tjetër të tij të mirënjohur “Ana Karenina”. Por të gjesh veprat e Tolstoit apo të ndonjë autori tjetër botëror në gjuhën shqipe, në Shkup, është tejet e vështirë; kjo për shkak se në këtë metropol nuk ka librari shqiptare tani prej dy vitesh. Kohët e fundit, vetëm një librari përpiqet, në mesin e shumë titujve në gjuhë maqedonase, të ofrojë literaturë në gjuhën shqipe, dhe kjo është larg prej të qenurit e mjaftueshme.

Lexuesit detyrohen të porosisin libra jashtë Shkupit

Fakti që nuk ka librari në Shkup, ku jetojnë një numër i madh i nxënësve dhe studentëve shqiptarë, është një paradoks, sidomos nëse merret parasysh fakti që Shkupi është kryeqytet.

Sipas listave të regjistrave aktivë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës[1]  në qytetin e Shkupit ekzistojnë 17 shkolla fillore, 2 shkolla të mesme dhe 1 fakultet me mësim të realizuar në gjuhën shqipe. Nxënësit dhe studentët detyrohen të porosisin libra jashtë vendit, por jo shpesh herë, për shkak se nuk kanë mundësi ekonomike për të gjitha procedurat e porositjes së një libri nga një vend tjetër. “Në Shkup kemi problem sepse nuk kemi librari shqiptare. Jemi të detyruar të porosisim libra nga Tirana apo Prishtina apo nga qytete të tjera. Ekzistojnë disa shtëpi botuese, por gjithsesi librat e tyre ose kanë përmbajtje fetare, ose janë të limituar në numër” tha Elbuhar Kamberi, student i Мarrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.

Në 12 vitet e fundit në Shkup ka pasur periudha kur nuk ka pasur fare librari shqiptare

Ky problem është aktual tani e disa vite. Sipas të dhënave të gazetave elektronike vrojtojmë se në 12 vitet e fundit në Shkup kanë funksionuar vetëm dy librari. Sipas Telegrafi.com në vitin 2012, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u hap kafeneja “Libraria e çarshisë”, e cila u mbyll pas 6 vitesh, pra në vitin  2018, për t’u zëvendësuar nga një bar dhe restorant. Pas tre vitesh pa librari, konkretisht në vitin 2021, siç transmetojnë Koha.net dhe emisioni Happy Day во Клан Македонија, në të njëjtin vend u hap libraria “Nobel”. Kjo librari, e cila ishte pjesë e librarisë me të njëjtin emër në Tetovë, nuk arriti të qëndrojë në treg, kështu që u mbyll vetëm pas një viti funksionimi, përkatësisht në vitin 2022. Nga viti 2022 e deri më sot, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut ka mbetur pa librari në gjuhën shqipe, pra lexuesit shqiptarë kanë mbetur pa qasje në libra në gjuhën e tyre amtare.

Dy vite pa librari, çfarë i pret ata që duan të lexojnë?

Cili faktor rezulton në një pamje të tillë është pyetja e rradhës. Përse një qendër si Shkupi – ku sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në regjistrimin e vitit 2021 janë regjistruar 120.293 qytetarë shqiptarë – nuk arrin të sigurojë një cep të vetëm për një librari shqiptare? Dhe, më e rëndësishmja, si ndikon ky fakt te lexuesit?

“Fakti që nuk ka librari shqiptare në Shkup, për mendimin tim, tregon se në njëfarë mënyre, te brezat e rinj – dhe këtë e shoh në punën time si në shkollë të mesme ashtu edhe në universitet, mungon kultura e leximit” tha Ilir Saliu, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. “Kjo shihet nga historia e librarive shqiptare në Shkup, të cilat nuk arritën të kenë jetëgjatësi më të gjatë”, shtoi ai. “Mungesa e një librarie shqiptare në të njejtën kohë i demotivon edhe ata që duan të lexojnë, sepse janë të detyruar të kalojnë nëpër shumë peripeci për të arritur deri tek librat”, konstatoi profesori.

Qendrat tregtare, çarshitë e reja!

A është kjo situatë rezultat i mungesës së kulturës së leximit dhe çfarë mund të bëhet për ta tejkaluar këtë problem? Të dhënat nga e vetmja librari që ofron një përzgjedhje të librave në gjuhën shqipe konfirmojnë se ka interes për lexim dhe se librat shiten vazhdimisht në të gjitha pikat e kësaj librarie në qendrat tregtare në mbarë Shkupin. Kjo gjë hap një debat të ri: sa e rëndësishme është vendndodhja e librarisë në epokën e hiperkonsumerizmit kur si qendër nuk konsiderohen më çarshitë, por qendrat e mëdha tregtare? Sipas hartës, dy libraritë e vetme që kanë ekzistuar në Shkup në dymbëdhjetë vitet e fundit kanë qenë të vendosura në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Vendndodhjet e librarive të dikurshme shqiptare në Shkup në 12 vitet e fundit

Praktika e re e vendosjes së librave të letërsisë shqipe në libraritë maqedonase duket të jetë një përpjekje e suksesshme. Megjithatë, shumica e lexuesve nuk mendojnë se në libraritë maqedonase mund të gjejnë libra në gjuhën e tyre amtare, sepse deri më tani në libraritë maqedonase në Shkup nuk kishte hapësirë për letërsinë shqipe apo libra të përkthyer në gjuhën shqipe. Mbetet për t’u vlerësuar nga ekspertët nëse nevojitet një plan i përshtatshëm marketingu për librat në gjuhën shqipe në libraritë e ndryshme, në bashkëpunim me stafin e mësuesve dhe pedagogëve në shkolla dhe fakultete.

Punoi:

Saranda Mehmedi

Dhurata Alija

Jovan Riçkovski


[1] Aty ku të dhënat janë publikuar pa shfaqur të dhëna rreth gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, autorët e këtij teksti kanë numëruar vetëm shkollat ​​me emra shqip. Kjo nuk do të thotë se në shkollat ​​e tjera nuk ka mësim në gjuhën shqipe, sepse në disa shkolla mësimi zhvillohet në të dyja gjuhët. Në qytetin e Shkupit është gjithashtu edhe kampusi i Universitetit të Evropës Juglindore si dhe Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Por në statistikat e Ministrisë së Arsimit nuk ka një numër të saktë të nxënësve dhe studentëve shqiptarë për vitin akademik 2023/2024.